Bazuar në Udhëzimin nr. 402, datë 14.05.2019, “Për procedurat e punësimit të mjekëve në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet platformës elektronike” Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpall konkurimin e hapur për pozicione vakant,

  • Mjek familje/ të përgjithshëm dhe mjek specialistë në qëndrat shëndetësore;
  • Mjek specialistë në spitale,

 

Afati për aplikim 15 qershor 2019

Aplikimi do të kryhet në platformën on-line “Mjek për Shqipërinë”

 

1.Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet për pranim si vijon:

  1. Të kenë diplomën e mjekut, mjekët specialistë edhe diplomën e specialitetit, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë brenda apo jashtë shtetit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin;
  2. Të jenë të pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit;
  3. c) Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
  4. d) Të mos jenë në marrëdhënie pune me një institucion shëndetësor publik që ofron direkt shërbim shëndetësor (qëndër shëndetësore/ spital).

2.Dokumentet e nevojshme për aplikim:

Kandidatët duhet të aplikojnë në platformën online sipas rajoneve për qëndrat/spitalet përkatëse, me dokumentat si më poshtë:

  1. Jetëshkrimin e kandidatit (CV);
  2. Librezën e punës;
  3. Diplomën universitare dhe listën e notave (e detyrueshme).Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
  4. Diplomën e specializimit dhe listës së notave (e detyrueshme nëse pozicioni i punës është për mjek specialist);
  5. Lejen e ushtrimit të profesionit (e detyrueshme);
  6. Dëshmi të kualifikimeve pasuniveristare (gradë ose titull akademik/shkencor);
  7. Diploma dhe dëshmi të tjera kualifikimesh që lidhen me fushën;
  8. Dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja (nga institucione të njohura nga ministria e arsimit);
  9. Deklaratë për gjendjen gjyqësore (e detyrueshme), sipas shtojcës 3 të Udhëzimit nr. 402, datë 14.05.2019 ;
  10. Raporti mjeko-ligjor i tre muajve të fundit (i detyrueshëm në momentin e fillimit të detyrës).

3.Vlerësimi i kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen për diplomën, gjuhën e huaj, përvojën në shëndetësi, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën si dhe për intervisten me gojë. Totali i pikëveve për këtë vlerësim është 50 pikë, përkatësisht:

  1. deri në 45 pikë vlerësimi i dosjes;
  2. deri në 5 pikë vlerësimi i intervistës me gojë.

Intervista me gojë do të fokusohet mbi njohuritë për organizimin e sistemit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.

Për më tepër, për vlerësimin e kandidatëve lexo Udhëzimin nr. 402, datë 14.05.2019, “Për procedurat e punësimit të mjekëve në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet platformës elektronike”.

Komisioni i Vlerësimit, brenda pesë ditëve pune pas përfundimit të afatit të pranimit të aplikimeve, vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe brenda dy ditëve njofton datën për intervistën  me gojë.

4.Njoftimi i kandidatëve dhe shpallja e pikëve

Komisioni i Vlerësimit harton listën me pikët totale për çdo kandidat dhe i njofton ata për rezultatin nëpërmjet adresës së tyre me email.

Kandidatët kanë të drejtën e ankimit për rezultatin brenda tre ditëve nga dita e njoftimit të tyre. Ankesa bëhet përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” në adresën e kontaktit në këtë faqe.

Pas përfundimit të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, Komisioni i Vlerësimit shpall renditjen e kandidatëve në portalin “Mjekë për Shqipërinë” dhe dërgon emrat e fituesve/fituesin pranë Drejtorisë Rajonale të OSHKSH ose institucioneve qëndrore shëndetësore.”

Categories: Shpallje